DUKE ZBULUAR MIRDITËN
Itinerar 3 - ditor
Dita I
INFOKULLA
Udhëtimi nuk kish si të filloj ndryshe pa një vizitë te Infokulla, pikën më kreative e unike për informimin turistik që prezanton territorin mirditor por jo vetëm. E vendosur në Rrugën e Arbrit, 15 km nga ura e Milotit dhe vetëm 500 metra larg qytetit të Rubikut ajo është ndërtuar në kuadër të Partneritetit Shqiptaro Austriak -Marianne Graf (AAP).InfoKulla e cila drejtohet nga Bashkia Mirditë, është porta e hyrjes në historinë, trashëgiminë, kulturën, artin dhe gastronominë e vendit të Principatës së Arbrit.
KISHA E NDËRFANËS (SHËN MËRISË), GZIQ
Vetëm 10 minuta larg nga InfoKulla, vijojmë në drejtim të Kishës së Ndërfanës (Shën Mërisë), Gziq e cila njihet ndryshe si Kisha e “Principatës së Arbërit”. Ajo mban brenda saj simbolin e Shqiponjës njëkrenore të gdhendur mbi një pllakë mermeri të cilin medievisti Theodor Ippen e quajti heraldike (1901) dhe kjo emblemë sot është emblema e krahinës së Mirditës.
KANTINA ARBËR
Rreth mesditës, sugjerojmë një drekë me gastronomi të zonës së shoqëruar me produktet e "Kantina Arbër” e cila ofron jo vetëm mundësinë e shijimit dhe degustimit, të verës dhe rakisë por së fundmi edhe të “Spumantes së parë shqiptare”.
SHTËPIA E KULTURËS, RRËSHEN
Pas dreke, një shëtitje në qytet e nuk mund t'i mungojë këtij itinerari një vizitë në Shtëpinë e Kulturës, Rrëshen ku ekzemplarë unikë të etnografisë, instrumentave popullore e veshjeve tradicionale do e çojnë udhëtimin tuaj në një tjetër dimension.
AGROTURIZËM N’ KANU
Mirdita tashmë ka hyrë në hartën e agriturizmeve, të cilat kanë risjellë për klientët traditën kulinare në mënyrë artizanale, shoqëruar me verërat e prodhuara në kodrinat e pasura me minerale. Një mbremje në Agroturizmin N’ Kanu (Perlat, 20 minuta nga Rrësheni) e shoqëruar me gatime e atmosferë mirditore si edhe eksplorimin e varieteteve të verërave mund të mbyllë gëzueshëm itinerarin e ditës së parë.
DITA II
GURRA E DOMGJONIT
Të nesërmen udhëtimi vijon drejt Gurrës së Domgjonit, në këmbët e malit të Munellës dhe vetëm 40 km nga qyteti i Rrëshenit. Gurra e cila njihej me emrin "Qyteza” është një ujësjellës i vendosur në vendbanimin e fortifikuar -kështjellë, në perëndim të Fanit të Vogël. Ujësjellësi nis në malin e Munellës ku uji pasi mblidhet prej një prite të vogël përcillet në një kanal nëntokësor, ku në mes të tij gjendej pusi i kontrollit, i cili nis me një hyrje të maskuar nga sipërfaqja e tokës.
BURGU I SPAÇIT
Pas rikthimit në Rrugën e Kombit, vijohet drejt Repsit duke u drejtuar për në Burgun famëkeq të Spaçit. Udhëtimi zgjat vetëm 20 min nga dalja e autostradës në Reps, nëpër një rrugë gjarpëroshe në kodrinat e Spacit, të cilat në mënyrë misterioze fshehin njëra-tjetrën dhe sikur nuk duan të tregojnë dhimbjet e përjetuara ndër vite.
ECO - GURTH SPAÇ MUNELLA
Pas emocioneve të forta, vizitorët kanë nevojë të shohin anën tjetër të territorit, një ansambël unik atraksionesh “Eco Gurth Spaç-Munella” ku bujtina “Gurth Spaç-Natura Magica” mund të jetë akomodimi i mundshëm (sugjerohet që udhëtimi të realizohet me makinat off road), nga ku mund të shijohet natyra por dhe “ Kulla e Vrojtimit”, Mulliri me ujë, Këmbana e vjetër. Të apasionuarit pas natyres mund të bëjnë ecje drej shtegut “Rrëqebulli i Munellës” me pamjet e mrekullueshme në çdo stinë.
Në pamundësi të makinave “Off Road” mund të drejtoheni për një udhëtim të shkurtër në Katundin e Vjetër, ku mund të relaksoheni dhe akomodoheni në bujtinat, hotelet e kampingjet e njohura të kësaj zone si: Eco-Hotel Restorant Marubi, Bujtina Dini, Camping “ Baven -Toven Natura" etj.
DITA III
KISHA E T’ SHËLBUEMIT, RUBIK
Një nga simbolet e gjithë Mirditës, Kisha e T’ Shëlbuemit, Rubik, është hapja e ditës së tretë të itinerarit në këtë destinacion. I vendosur në një truall të dukshëm shkëmbor, sipër lumit Fan, manastiri mesjetar dominon fuqishëm itineraret që lidhin bregdetin me Arbanonin deri në lartësitë e Oroshit, por dhe atë që ndryshe njihet si L’itinerarium Lissus -Naissus. Dikur françescane, pjesë e dioqezës së Lezhës dhe Rubikut, daton prej 1166.
PIKTOGRAMET E RUBIKUT
Eksplorimi vijon me Piktogramet e Rubikut, vetëm 30 min në ngjitje në mal. Elementët, simbolet, figurat e grafikat e gdhënduara në shkëmb, e çojnë vizitorin në një dimension tjetër kohor, mes të cilave vërtetohet dashuria për artin e banorëve të lashtë të zonës.
KATUNDI I VJETËR
Stacioni i fundit: Katundi i Vjetër, i cili mund të arrihet në dy mënyra. Ecje nëpër shtigjet që zbresin kodrinën nga Piktogramet e Rubikut (1,5 orë me ecje normale, për të apasionuarit ndaj hiking) ose duke ndjekur rrugën lokale Rubik – Katund i Vjetër (6km). Aty mund të shijoni gastronominë e restoranteve të njohura të zonës si Eco-Hotel Restorant Marubi, Bujtina Dini, Camping “ Baven -Toven Natura", nën gurgullimën e ujit dhe freskinë e pemëve që rrethojnë zonën.