MES RUBIKUT E KATUNDIT TË VJETËR
KISHA E T’ SHËLBUEMIT, RUBIK
Itinerari i ofruar në Rubik e rrethinat e tij, na thërret drejt një kohe tjetër. Embëlsisht e vendosur në lartësinë e kodrës mbi Fan, Kisha e T’ Shëlbuemit, Rubik konsiderohet si elementi që nuk mund t’i mungojë asnjë itinerari të kësaj zone. Eshtë kaq e fortë lidhja e komunitetit të zonës me këtë kishë e cila i ka rezituar shumë shekujve dhe është rinovuar dhe rikthyer me një sharm të ri, saqë çdo kalimtar në rrugën e Kombit, tundohet të ngjitet në lartësitë e saj. Pas tërmetit të vitit 2019, Kisha e T’ Shëlbuemit u rindërtua nga Programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
PIKTOGRAMET E RUBIKUT
Pas vizitës në kishë, dashamirësit e historisë, artit por dhe ngjitjeve në mal, vijojnë eksplorimin e drejt Piktogrameve të Rubikut, vetëm 30 min larg saj. Elementët, simbolet, figurat e grafikat e gdhënduara në shkëmb, e çojnë vizitorin në një dimension tjetër kohor, kohë që tregon fillimet e dashurisë së shqiptarëve për artin.
KALAJA E MATRIZËS
A mund të mendohet një kodër kaq strategjike, pa një kala e ndërtuar në kohën e Skënderbeut? Kalaja e Matrizës, e rrethuar me një pejsazh unik, në të cilën toka, qielli dhe lumi bashkohen në një harmoni perfekte është pika e tretë e itinerarit, vetëm 30 minuta nga Kisha e T’ Shëlbuemit, Rubik.
Të treja këto pika, përbëjnë ansamblin historik të Rubikut.
KATUNDI I VJETËR
Prej kësaj pike itinerari vijon drejt Katundit të Vjetër, nëpër një rrugë fshati nën hijen e pemëve e freskuar në burimet e shumta ujore të zonës. Kudo ndihesh i mikluar nga erërat e forta të luleve dhe bimëve mjekësore që të kujtojnë sënduqet e gjysheve. Udhëtimin mund ta shijoni të plotë me një qëndrim në restorantet dhe bujtinat e zonës, kaq të njohura për gatimet tradicionale dhe për kulturën e mikëpritjes.