NË ZBULIM TË KISHAVE TË MIRDITËS
Mirdita njihet për numrin e madh të kishave të shpërndara në territorin e saj, rreth 200 të tilla. Një pjesë e mirë e tyre, janë rikonstruktuar dhe vazhdojnë të kryejnë funksionin primar.
Ky itinerar përfshin elementë të besimit fetar dhe historik në zonën e Mirditës, për vizitorë të cilët duan të kalojnë një ditë ndryshe mes elementeve historikë dhe fetarë të zonës duke shijuar njëkohësisht natyrën dhe gastronominë.
Udhëtimi nga Tirana, llogaritet rreth 1 orë e 15 min e kalon nëpër Rrugën e Kombit për të mbërritur në qytezën e Rubikut.
KISHA E T’ SHËLBUEMIT, RUBIK
Itinerari fillon prej Kishës së T’ Shëlbuemit, Rubik vendosur në një pozicion dominues e strategjik mbi luginën e lumit Fan. Udhëtimi nga Tirana, llogaritet rreth 1 orë e 15 min e kalon nëpër rrugën e Kombit, e pasi mbërrin në qytezën e Rubikut, kisha gjendet vetëm 4 km sipër një kodre. Pas një vizite shpjeguese për historikun e saj, mes afreskeve dhe figurave të rëndësishme të historisë së zonës, udhëtimi vijon në drejtim të Oroshit, vetëm 40 minuta nga Kisha e Rubikut.
KISHA E OROSHIT OSE KISHA E SHËN LLEZHDRIT
Kalimi për në Kishën e Oroshit (Kisha e Shën Llezhdrit, Shën Aleksandrit),vjen pas një udhëtimi në Rrugën e Kombit e vijon në të djathtë të saj mbi një kodrinë të gjelbëruar në të gjitha stinët e vitit. Adrenalina në 20 minuta ngjitje në kodër, apo hiking për të apasionuarit, shoqërohet me befasinë nga pejsazhi natyror që të shfaqet me madhështinë e një dinastie. Jo më kot Oroshi ka qenë një nga bajrakët më të njohur dhe të vizituara ndër shekuj në veri të vendit, unik për historinë e vet.
Pas vizitës në kishën e restauruar me fondet e komunitetit të zonës e pas shijimit të arkitekturës së një prej kishave më të bukura të zonës, udhëtimi vijon drejt Rrëshenit, qendrës së Mirditës, vetëm 20 minuta larg nga Oroshi.
Një pushim për të shijuar gatimet e zonës në një nga restorantet e qytetit (Kantina Arbër) dhe për një vizitë të shkurtër në Shtëpinë e Kulturës së qytetit, e cila mbart në brendësi thesare të kulturës dhe historisë së zonës. Vizitorët në Rrëshen mund të provojnë gatime të shijshme tradicionale dhe një shumëllojshmëri të agro-produkteve të kultivuara në vend si rrush, boronica, gështenja, arre, mjaltë, lëng molle, perime të zgjedhura dhe shumë të tjera.
KISHA E NDËRFANËS (SHËN MËRISË) NË GZIQ
Udhëtimi vijon në drejtim të Kishës së Ndërfanës (Shën Mërisë) në Gziq apo ndryshe Kisha e Principatës së Arbrit, vetëm 10 min nga qyteti i Rrëshenit. Pozicioni i saj, të lejon të sodisësh disa fshatra me të cilat rrethohet, duke bindur visitorët se jemi në një zonë ku puna i tregon frytet e saj në ambientin relaksues e të kuruar.
INFORMACIONE PËR ITINERARIN
Kohëzgjatja: Ky itinerar ditor mund të zgjasë nga 8-12 orë sipas dëshirës së vizitorit.
Grupi i synuar: Këshillohet për dashamirësit e objekteve fetare por dhe për adhuruesit e kërkimeve në terren të cilët pëlqejnë ngjitjet dhe ecjet në natyrë.
Kontakt: info@hikingmirdita.com +355) 69 560 29 70 për një tour të specializuar dhe guidë profesionale.