MIRËSEVINI NË MIRDITË

Mirdita njihet ndryshe si bajraku i kapedanëve. Jo më kot At’ Gjergj Fishta shkruante në “ Lahutën e Malcis“ :

 

 

 Aj asht, Zanë, njaj Kapidani,
Kapidani prej Mirditet,
Per të cillin larg perflitet,
Larg perflitet, larg kallzohet,
Zi edhe bardh per te shartohet…”

 

At Gjergj Fishta  “Lahuta e Malcis’’

 

Mirdita është një rajon i Shqipërisë veriore, me sipërfaqe 865 km2,  dhe numër popullsie 37 mijë banorë (sipas censusit 2017), territori i së cilës është sinonim i fisit historik shqiptar me të njëjtin emër.

 

Emri Mirditë rrjedh nga një paraardhës legjendar i quajtur “Mir Diti” nga i cili fisi pretendon prejardhjen. Një tjetër etimologji popullore e lidh fjalën me përshëndetjen shqipe "mirëdita" që do të thotë përshëndetje, "ditë të mirë".

 

Rrethi i Mirditës përbëhet nga një bashki dhe 6 qendra administrative (Rubik, Fan, Kacinar, Kthellë, Orosh dhe Selitë). Rrësheni është qendra administrative e bashkisë. Pjesë e Qarkut Lezhë, kufizohet me Pukën, Matin, Dibrën dhe Lezhen.

 

 

MIRDITA DIKUR.....

Në shekullin e XIX, Mirdita ishte një krahinë autonome që bashkonte 12 Bajrakë, ku përfshiheshin 83 katunde, 2.400 shtëpi dhe rreth 25.000 banorë. Sipas historisë, Mirdita është krahina më e madhe dhe më e lirë shqiptare, e cila asnjëherë nuk ka paguar taksa ndaj administratës osmane. Ekzistojnë shumë citime për Mirditën dhe mirditorët nga studiues të ndryshëm.  

 

 

Në revistën franceze "L'Illustrateur des Dames", në numrin e datës 27 shtator 1863, mes të tjerash thuhet:

"Mirditorët përbëjnë një prej atyre fisesh të pa përmbysura që gjenden në Shqipërinë e Veriut. Të mbyllur brenda një territori të padepërtueshëm, të rrethuar nga male të larta, ata përbëjnë një lloj principate, origjina e së cilës është e panjohur. Popullsia e tyre, që përbëhet nga rreth njëzet e një mijë banorë, njeh si udhëheqës një luftëtar që mbart titullin e princit. Shumë striktë dhe fanatikë për lirinë që gëzojnë, ata mbyllin me rigorozitet shtigjet për çdo të huaj që guxon të depërtojë në malet e tyre. Kush janë këta njerëz? Sipas një tradite lokale, ata janë pasardhës të një fisi të madh, të quajtur Dukagjinet, të cilët luftuan trimërisht  në krah të Skënderbeut të madh në vitet 1439 deri në 1463. Pranohet se nga të gjitha popujt që përbëjnë fisin e madh shqiptar, mirditorët janë më të guximshmit dhe më fanatikët fetarisht. Ata kanë lëvizjen e një maceje, të kombinuar me fuqinë muskulore të një tigri. Mënyra e tyre e hyrjes në betejë është e tillë që ata gjithmonë llogarisin saktësisht cdo lëvizje. Dhe nëse duhet të tërhiqen, ata e bëjnë këtë duke kthyer shpinën, pa ndaluar zjarrin. Dhe Turqia me të drejtë i sheh ata si luftëtarët më të mirë dhe më të rrezikshëm! Porta e Lartë asnjëherë nuk ka dashur të shkojë në luftë kundër këtyre malësorëve, ndaj të cilëve e dinte që nuk mund të fitonte….".

 

Studiuesi austriako-gjerman Ami Bue (1794-1881) i ka përkufizuar kështu mirditorët: “Pas marrjes së Krujës (1478) nga Muhameti II dhe pas rënies së Shkodrës 1479, vetëm Mirdita qëndroi heroikisht e pa nënshtruar”. 


Alexandre Dregrand (Diplomat francez, shkencëtar, konsull në Shkodër në fund të shekullit të 19), në librin "Kujtime nga Shqipëria e Veriut", botuar në Paris në vitin 1901, shkruan, mes të tjerave: "Ne gjejmë xhurda të zeza në shumë provinca shqiptare në veshjen e burrave, ndërsa vetëm në Mirditë, gratë veshin xhurdën dhe shallin e zi, si shenjë zie për Gjergj Kastriotin..."

Peter Blumeyer: "Mirditasit janë njerëz të pavarur, krenarë, të ndershëm e trima, e në veçanti shumë mikëpritës” 

 

Mikpritja e Mirditës

Mikpritja në Kashnjet (Martin Camaj)

 

Bjen shi e uji gjimon në shkambije

E nepër shpat çdo rrugë e ngushtë u shemb,

Sonte do t'jet' terr sikur n'brî dhije...

Shtektar, veç hapin theke e mos u tremb!

Midis Kashnjetit âsht nji shpi fisnike

Me njerz qé t'flasin me zemër në dorë.

Midis Kashnjetit gjindet shpija mike,

Mbushun me k'shtêja si mali me borë.

Zjarmi ty t'pret i ndezun flakadâ

Teshat me t'terë e gjakun n'ftyr' me t'prû

Dhe vegshi i darkës krah për krah me c'râ.

Thalbat e nxetë e vena në katú.

"Mirse erdhe për bukë e qejf e krypë!"

Plaku tash t'thotë si me t'pasun bir:

Për ket mikpritje ai nji grosh s'ta lyp,

Veç me zemër t'i thuejsh:"t'ardhsha për t'mirë!"

 

INFORMACIONE MBI UDHËTIMIN NË MIRDITË

Si mund të organizoni udhëtimin tuaj

Një ditë udhëtimi në rajonin e Mirditës, nuk kërkon një përgatitje të veçantë. Sugjerojmë të keni me vete këpucë të përshtatshme në bagazhet tuaja për të ecur në kodrat dhe rrethinat e Mirditës. Mbledhja e bimëve medicinalë përgjatë rrugëtimit, është një ekesperiencë unike, prandaj një qese prej letre ose prej basme do të ishte e nevojshme. Darka është e freskët në pranverë dhe vjeshtë.

 

Koha më e mirë për të vizituar Mirditën

Natyrisht vera është stina më e ngrohtë, por dhe e thatë. Në qytet temperatura mesatare vitet e fundit i kalon 27 gradët edhe pse në ditë të caktuara termometri kalon 30 gradë. Ka zona të caktuara si Katund i vjetër, Orosh, Kodër Spaç ku qëndrimi është më i freskët. Janë disa momente që vlerësohen ndër më të përshtatshmet për ta vizituar Mirditën, e në veçanti, gjatë stinës së pranverës, në muajt prill, maj kur temperaturat janë të kënaqshme për të realizuar itineraret që ne propozojmë. Periudhë shumë e bukur, konsiderohen dhe muajt shtator- tetor ku prodhimet e shumta frutore dhe ngjyrat e vjeshtës, të ftojnë për të shijuar gjithçka.

Paraja dhe banka

Monedha shqiptare është Lek-u. Lekët mund të këmbehen në banka të cilat janë të hapura prej të hënës deri të premte (08:00-15:30). Në qytet ka dhe njësi të këmbimit valutor. Në pjesën më të madhe të dyqaneve, hoteleve dhe restoranteve pranohet euro. Sugjerohet që në fshatra më mirë të keni Lek me vete.

Energjia elektike dhe problemet e mundshme

Rryma elekrike është 220 volt. Prizat janë në standardet evropiane e nuk kërkohen përshtatës.

Shëndeti

Uji i rrjedhshëm është mjaft i mirë, por është më i këshillueshëm, ndonëse jo thelbësor, për të pirë ujë të ambalazhuar. Në vende të vecanta (p.sh. Hotel Marubi), ofrohet ujë burimi i një cilësie shumë të lartë).

Në çdo njësi administrative ka qendër shëndetësore dhe si edhe spital në qytetin e Rrëshenit.

Transporti --> Si mund të mbërrini në Rrëshen

Transport publik me autobus:

Nisja nga Tirana (Terminali i autobusave të veriut dhe jugut, kthesa Kamëz). Oraret:  06:00; 07:30; 09:00; 10:30; 11:00; 12:00; 13:00; 14:00; 15:00; 16:00; 17:00; 18:00.

Udhëtimi zgjat 1orë e 30 min.

Referojuni https://etransport.al/ për informacion të përditësuar.

 

Me makinë:

Nga Tirana: Autostrada Tiranë- Kukës, kthesa për Rrëshen,  kilometri 72

Nga Shkodra: 40 km

Nga Morina (Kosovë): Autostrada “Rruga e Kombit”, 90 km

Mirdita është një nga zonat më të pasura të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, e shquar vecanërisht për kontributin ndër shekuj në ruajtjen e identitetit kombëtar. Si e tillë,  Mirdita ofron shumë informacion dhe vlerë për vizitorët e apasionuar të trashëgimisë kulturore, turizmit fetar apo arkeologjik.

Zgjedhja e pikave/destinacioneve si pjesë të Rrugës Kulturore të Mirditës  është kryer në funksion të prezantimit të tyre si atraksione turistike dhe është kushtëzuar nga disa faktorë si: mundësimi i aksesit; përshtatshmëria për të pritur vizitorë ; domethënia në kontekst të prezantimit të vlerave të zones ndaj vizitorëve etj.

 

Në vijimësi të hapave të ndërmarrë për rijetëzimin e monumenteve të kulturës nëpërmjet Programit EU4Culture, Kisha e T’Shëlbuemit në Rubik, paraqet monumentin kryesor mbi dhe rreth të cilit janë përzgjedhur pikat, duke synuar në të njëjtën kohë ofrimin e një eksperience të plotë dhe domethënëse për vizitorët e zonës, vecanërisht ata të huaj.

 

 

Kjo përzgjedhje vjen pas një pune të konsiderueshme në terren me ekipin e CEAPAL dhe ekspertët e përfshirë në këtë projekt dhe me mbështetjen e bashkëpunëtorëve tanë në Mirditë:
Gjergj Marku, Drejtor i Shtëpisë së Kulturës
Nik Nikolli, Drejtor për Zhvillimin e Turizmit
Gjovalin Marfana, Sektori i Integrimit në BE dhe Asistencës së Donatorëve
Luigj Gjergji, Drejtor i Shkollës së Mesme Profesionale “Shën Jozefi”
Adelina, Anila, Prena, Majlinda  e shumë gra artizane të Mirditës, të palodhura e të gatshme në cdo moment. 
Falenderime të veçanta për stafin dhe ekspertët e angazhuar në këtë projekt:
Amalinda Bediava, Menaxhere e Projektit
Brunilda Licaj, Eksperte e Turizmit
Edlira Caushi, Eksperte e Historisë dhe Muzeologjisë
Klodiana Collaku, Drejtore Ekzekutive e CEAPAL

RRUGA KULTURORE E MIRDITËS

NË ZBULIM TË KISHAVE TË MIRDITËS

Itinerar 1 - ditor

 

Ky itinerar përfshin elementë të besimit fetar dhe historik në zonën e Mirditës, për vizitorë të cilët duan të kalojnë një ditë ndryshe mes destinacioneve kulturore  të zonës duke shijuar natyrën dhe gastronominë.

 

Lexo më shumë


MES RUBIKUT E KATUNDIT TË VJETËR

Itinerar 1 - ditor

 

Itinerari i ndërtuar në Rubik e rrethinat e tij, na thërret drejt një kohe tjetër. Embëlsisht e vendosur në lartësinë e kodrës mbi Fan, Kisha e T’ Shëlbuemit, Rubik konsiderohet si elementi që nuk mund t’i mungojë asnjë  itinerari të kësaj zone. Eshtë kaq e fortë lidhja e komunitetit të zonës me këtë kishë e cila i ka rezistuar shumë shekujve dhe është rinovuar dhe rikthyer me një sharm të ri, saqë çdo kalimtar në Rrugën e Kombit, tundohet të ngjitet në lartësitë e saj.

Lexo më shumë


SPAÇI, NJË MEMORJE QË NUK MUND TË FSHIHET KURRË

Itinerar 1 -  ditor

 

Ky itinerar kalon nëpër vendin e memorjes së periudhës komuniste, duke synuar të njohë vizitorët me një periudhë të errët e të dhimbshme të historisë së popullit shqiptar.

Itinerari nis me një vizitë te Infokulla, e vendosur në Rrugën e Kombit, vetëm 15 km nga Ura e Milotit, e cila konsiderohet si një nga pikat më unike dhe më kreative të zyrave të informacionit turistik në vend duke paraqitur me shumë profesionalizëm territorin mirditor dhe jo vetëm.

Lexo më shumë


MES KISHAVE TË PRINCIPATËS DHE VERËS SË ARBRIT

Itinerar 2- ditor

 

Ky itinerar përfshin elementë të besimit fetar në zonën e Mirditës për artistë dhe jo vetëm, që kërkojnë të kalojnë më tepër se një natë në e të njohin më shumë këtë territor.

 

Udhëtimi nis me një vizitë në Infokullën e cila konsiderohet si një nga pikat më unike dhe më kreative të zyrave të informacionit turistik në vend dhe paraqet me shumë profesionalizëm territorin mirditor dhe jo vetëm.

Lexo më shumë


DUKE ZBULUAR MIRDITËN

Itinerar 3 - ditor

 

Ky është një itinerar për këdo që dëshiron të shohë, ecë dhe clodhet duke shijuar natyrën, gastronominë  dhe destinacionet e mrekullueshme të Mirditës.

Një udhëtim i ngadaltë, për të marrë sa më shumë informacion kulturor, të zhytesh mes natyrës me kaq shumë variacion e të dehesh me verërat unike të zonës së Principatës së Arbrit.

 

Udhëtimi nuk ka si të fillojë ndryshe pa një vizitë te Infokulla, pika më kreative dhe unike për informimin turistik që prezanton territorin mirditor e jo vetëm.

Lexo më shumë